Një zhvillim i papritur ka ndodhur në spektaklin Big Brother VIP Albania, ku marrëdhënia mes dy banorëve Rogerti dhe Miri duket se po shkon drejt një përçarjeje.
Gjatë spektaklit “Prime” të mbrëmjes së kaluar ndodhi një situatë e pazakontë, pasi Rogerti doli përkohësisht nga shtëpia për t’u përballur në studio me opinionisten Monika Kryemadhi. Pas diskutimit, ai u rikthye sërish në shtëpi, një lëvizje që për pak çaste i bëri banorët të mendonin se ai ishte eliminuar.
Megjithatë, surpriza zgjati shumë pak, pasi Rogerti u rikthye në lojë.
Pas kësaj situate, duket se ai ka reflektuar mbi sjelljen e banorëve gjatë kohës që ishte jashtë. Në Dhomën e Rrëfimit, Rogerti u shpreh se dy kundërshtarët më të fortë që sheh në këtë lojë janë Selin dhe Miri.
Sipas tij, reagimi i Mirit në momentin që ai doli nga shtëpia nuk i ka pëlqyer aspak.
“Dy kundërshtarët më të fortë që kam në këtë lojë janë Selin dhe Miri. Mirit iu bë shumë qejfi kur dola”, është shprehur Rogerti.
Deklarata e tij ka ngritur dyshime se marrëdhënia mes dy banorëve, të cilët së fundmi janë shfaqur si aleatë në lojë, mund të ndryshojë dhe të kthehet në një rivalitet të hapur.
Mbetet për t’u parë në ditët në vijim nëse kjo situatë do të çojë në një përplasje direkte mes tyre apo në një prishje të aleancës që kanë krijuar brenda shtëpisë së BBVA.