Emisioni “Në Shënjestër” në News24 trajtoi zhvillimet e fundit lidhur me shqiptarët e botës së krimit që kanë gjetur strehë në Dubai, duke theksuar një kthesë të rëndësishme në ekstradimet drejt Shqipërisë.
Dokumentari ndalet te rasti i Durim Bamit, i cili pas dy vitesh procedura u ekstradua në Shqipëri, ku do të përballet me akuzat për përfshirje në disa ngjarje kriminale. Sipas ekspertëve, Dubai mbetet një qendër financiare e ndërtuar mbi sekretin dhe një pikë strategjike për investimin dhe mbrojtjen e pasurive të krijuara nga aktivitetet e paligjshme.
Të dhënat tregojnë se nga viti 2020 deri në 2026, autoritetet shqiptare kanë dërguar 19 kërkesa për ekstradim drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, nga të cilat vetëm 10 janë realizuar. Megjithatë, shumë figura të njohura të krimit vazhdojnë të jetojnë të pashqetësuar në Dubai, duke përfituar nga vështirësitë juridike për ekstradim dhe siguria që ofron ky shtet.
Një prej tyre është Denis Matoshi, i njohur si Eldi Dizdari, i konsideruar drejtues i një prej organizatave më të mëdha shqiptare të trafikut të kokainës. Ai dyshohet se ka drejtuar operacionet nga Dubai, ndërsa në Shqipëri dhe Itali vijon të jetë në kërkim.
Dokumentari thekson gjithashtu se, pavarësisht sekuestrimeve të pasurive në Shqipëri, fuqia ekonomike e këtyre grupeve mbetet e lartë. Ekspertët nënvizojnë se Dubai ka shërbyer si një qendër koordinimi për krimin ndërkombëtar, duke ofruar njëkohësisht mundësi për investim dhe mbrojtje nga ndjekja penale, edhe pse kohët e fundit është vënë re një rritje e bashkëpunimit për ekstradime.