Fillon faza numër dy për prangosjen e vartëses së Ramës, SPAK certifikon provat në GJKKO për bandën e Ballukut, gati padia e re grup i strukturuar kriminal dhe korrupsion për ish-zv/kryeministren
Zhvillime të forta po shënohen në dosjen që përfshin ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, teksa burime bëjnë me dije se hetimet kanë hyrë në një fazë të dytë shumë më të rëndë, ku pritet ndryshimi i akuzave. Më 20 nëntor 2025, Prokuroria e Posaçme (SPAK) e mori Belinda Ballukun të pandehur për shkelje të barazisë në tenderë lidhur me Tunelin e Llogarasë. Sipas nenit 258 të Kodit Penal, kjo vepër penale parashikon dënim deri në 3 vjet burg. Megjithatë, zhvillimet e mëvonshme hetimore e ndryshuan rrënjësisht situatën.
Më 16 dhjetor, SPAK i kërkoi Kuvendit autorizim për arrestimin e Ballukut, duke paraqitur elementë të rinj hetimor, që lidhen me 7 lote të Unazës së Tiranës, si edhe 3 tenderë të tjerë madhorë, mes tyre koncesioni i rrugës Thumanë–Kashar. “Në masat e para të kërkuara znj. Balluku rrezikonte deri në 10 vite burg; sot që flasim situata e saj është rënduar, dhe me akuzat e prokurorisë në këtë moment Balluku rrezikon deri në 35 vite burg”, deklaruan disa javë më parë Prokurorët e SPAK, në mbledhjen e Këshillit të Mandateve ku kërkuan heqjen e imunitetit të ish-ministres, ku PS vendosi në Kuvend që të mos e lëshonte.
Por burime të gazetës “SOT” bëjnë me dije se pozitat e saj pritet të rëndohen edhe më shumë. SPAK pritet të plasë “bombën” ndaj Ballukut, duke kaluar nga akuza e thjeshtë për shkelje të barazisë në tenderë, drejt dyshimeve për korrupsion dhe veprimtari të kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, çka do të rëndojë ndjeshëm pozitën penale të saj.
Dyshimet për “grup të strukturuar kriminal”
Sipas burimeve pranë hetimit, materialet e sekuestruara nga SPAK përfshirë telefona, laptopë dhe pajisje të tjera elektronike pritet të jenë kyç për të zbuluar një skemë të gjerë bashkëpunimi mes zyrtarëve dhe biznesmenëve. Në fokus të hetuesve janë komunikimet dhe dokumentet që mund të tregojnë koordinim të mundshëm në procedurat e tenderëve. Pikërisht këto prova, sipas burimeve, mund të çojnë në rikualifikimin e çështjes si veprimtari e kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Mes emrave që janë vënë nën lupën e hetuesve, për shkak të sekuestrimit të pajisjeve elektronike, përmenden Gentian Gjyli, Erald Elezi, si dhe disa sipërmarrës të njohur në sektorin e ndërtimit si Bashkim Ulaj, Ilir Shtufi, Arbër Abazi, Artan Sako, Paqsor Buzi, Ylli Senka dhe Pëllumb Salillari. Po ashtu, në hetim janë përfshirë edhe zyrtarë të administratës si Viola Haxhiademi dhe Sindi Dushku, ndër të tjerë.
SPAK certifikon provat në GJKKO
SPAK, për të qenë korrekt me procedurat në sekuestrimin e provave për dosjen Balluku, ka marrë dhe “OK” nga GJKKO për të zbërthyer telefonat, laptopët dhe pajisjet e tjera elektronike të bandës së dyshuar të ish-ministres. Vendimi është marrë nga gjyqtari Erion Çela, në lidhje me sendet e sekuestruara gjatë kontrolle të SPAK, të zyrtarë dhe biznesmenë, kontrolle të ushtruara në dhjetor dhe në janar. Mësohet se vetëm Gjylit i janë sekuestruar 2 laptopë, një telefon dhe një USB. Edhe Elezit gjithashtu i janë sekuestruar telefona dhe kompjuterë.
Gjatë kontrolleve objekti kanë qenë kompanitë e biznesmenëve të cilët kanë fituar tenderë të rrugëve me vlerë miliona euro, që SPAK po i heton, si dhe zyrtarë të institucioneve në varësi të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës që drejtonte Belinda Balluku. Në fund të vitit të kaluar, më 26 dhjetor SPAK ushtroi kontrolle në disa prej kompanive më të mëdha të ndërtimit në vend. Kontrollet janë shtrirë te kompania “Gener 2” e biznesmenit Bashkim Ulaj fitues i tenderit për rrugën Thumanë–Kashar.
Është kontrolluar edhe Ilir Shtufi, pronar i “Nova Construction – 2012” shpk, një prej 3 operatorëve që fitoi tenderin e Lotit 4 të Unazës së Madhe në Tiranë, edhe kjo procedurë sot në hetim nga SPAK.Në vijim të hetimeve për dosjen Balluku dhe disa bashkëpunëtorëve të saj, Byroja Kombëtare e Hetimit ka ushtruar kontroll edhe në banesën e Viola Haxhiademit, drejtoreshës së KESH-it, që deri para pak javësh mbante postin e Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Infrastrukturës. Pjesë e kontrolleve të SPAK ka qenë edhe drejtoresha e kabinetit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Sindi Dushku si dhe banesat e Sajmir Kuçit, Marsel Hoxhës dhe Jonida Çeços.
Dy javë më pas kontrollet janë ushtruar tek: ‘Alko Impex’ e Arbër Abazit e ‘2T’ e Artan Sakos, fitues të lotit të 7 të Unazës së Tiranës. tek ‘GPG; e Paqsor Buzit dhe ‘Senka; e Ylli Senkës, fitues të Lotit të 5 të Unazës, tek firma Albstar, fituese e Lotit të 3-të të punimeve për Unazën e Madhe të Tiranës dhe tek firma ‘Salillari’ e Pëllumb Salillarit, fitues i Lotit 1 të Unazës së Madhe. Kontrollet janë ushtruar nga BKH në Tiranë, Fier dhe Lushnje.
Ekspertimi i këtyre pajisjeve mësohet se kishte mbetur pezull, pasi deri më tani hetuesit ishin fokusuar tek provat shkresore të sekuestruara në Ministrinë e Infrastrukturës. Ndërkohë, burime bëjnë me dije se nga dy agjentë që po merreshin fillimisht me çështjen të Byroja Kombëtare të Hetimit, në bashkëpunim me prokurorët Dorina Bejko dhe Dritan Prençi, kanë angazhuar të paktën 10 oficerë, të cilët po kryejnë veprime intensive hetimore, si mbi materialet e sekuestruara, ashtu edhe mbi të dhëna të reja që kanë dalë gjatë hetimeve.
Reagimet
Sipas deputetit demokrat Ivi Kaso, rëndësia e këtij vendimi të GJKKO lidhet edhe me faktin se bëhet fjalë për materiale të sekuestruara që para Vitit të Ri, të cilat mund të përmbajnë të dhëna me vlerë për hetimin. Ai theksoi se kompleksiteti i çështjes dhe numri i madh i personave të përfshirë kanë sjellë vonesa procedurale. “Në hetime kaq komplekse dhe me kaq shumë persona të përfshirë, ka pengesa procedurale, pasi çdo personi që i është sekuestruar pajisja duhet të dëgjohet para gjykatës.
Besoj se koha është ezauruar dhe ndaj ka vonuar procedura,” deklaroi Kaso. Duke iu referuar përmbajtjes së mundshme të komunikimeve që mund të dalin nga pajisjet e sekuestruara, ai paralajmëroi zhvillime të tjera të bujshme. “Nëse komunikimet do jenë si ato që ishin mes Ballukut dhe Evis Berberi, do dëgjojmë çudira të tjera. Këto çudira do jenë në domain publik pas kësaj, nëse do jenë aty,” u shpreh deputeti. Nga ana tjetër, gazetarja Klodiana Lala tha se në SPAK ndodhen ekspertë të huaj, kryesisht amerikanë që pas vendimit të 19 marsit do të zhbllokojnë pajisjet elektronike të cilat do të kontrollohen në kuadër të hetimeve për Ballukun.
“Në momentin që ne flasim për zonjën Balluku rëndojnë dyshime për paracaktim të procedurave tenderuese në 11 raste. Por nga zbërthimi i celularëve, dhe bëhet fjalë për një numër shumë të madh biznesmenësh, por dhe njerëzit më të besuar të Ballukut dhe bëhet fjalë për kqyrje të kohëve të fundit, pra për komunikime të dhjetorit 2025 dhe janar 2026, ku janë bërë dhe kontrolle cka do të thotë se Balluku ishte e pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë biseda që mesa duket prokurorët janë duke insistuar për të shkuar drejt të dhënave që mund të zbulojnë veprave të tjera më të rënda penale por kjo mbetet për tu parë sic mund të jetë korrupsioni dhe pastrimi i parave”, tha Lala.
Dosja voluminoze, në lojë dhe të fortët
Prokurori Klodian Braho e përshkruan dosjen si voluminoze, me një fjali që përmbledh madhësinë e materialeve që SPAK thotë se ka administruar. Përpara deputetëve në Këshillin e Mandateve, Klodjan Braho u shpreh: “Është thjesht një hard disk nga ana praktike, që po ta printosh, pa ekzagjerim mund të jenë dy apo tre furgonë me letra”. Në pjesën që lidhet me manipulimin e dëshmitarëve, prokuroria thotë se ka paraqitur procesverbalin e transkriptimit të përgjimeve të lejuara me vendim gjykate, duke evidentuar frikën e një prej dëshmitareve të pyetura nga SPAK, e cila ka përmendur kërcënimet nga “të fortë”, nga zyrtarë, dhe tentativat për ta korruptuar me para.
Prokurori Dritan Prençi u shpreh se bëhet fjalë për një dëshmitare, familjarët e së cilës kanë marrë telefonata kërcënuese nga një qytet që nuk ishte Tirana. Oferta që iu bë më pas ishte ajo për ta blerë me para. Mjafton që të ndryshonte avokatin që do t’i këshillohej. Në një sqarim tjetër, Prençi e ndan qartë natyrën e intimidimit, duke e vënë theksin tek persona jozyrtarë, të përmendur si “të fortë”, dhe persona zyrtarë, që ishin pjesë e kabinetit të ministres së energjisë. “Atëherë, në përmbajtje të asaj çfarë ka prodhuar ky transkriptim i bisedave të përgjuara, bëhet fjalë për intimidim nga persona jozyrtarë.
Aty përmendet “të fortë”, e përmend vetë zonja, pra persona jozyrtarë. Pastaj, nga personat zyrtarë bëhet fjalë për persona nga kabineti i ministrit, është e shkruar.” është shprehur Prençi. Me gjithë këto zhvillime, dosja ndaj Belinda Ballukut rrezikon të shndërrohet në një nga çështjet më të rënda të drejtësisë shqiptare në vitet e fundit.
Nga një hetim fillestar për shkelje në tenderë, çështja po merr përmasa shumë më të thella, duke prekur nivele të larta vendimmarrjeje dhe një rrjet të gjerë bashkëpunimi të dyshuar mes zyrtarëve dhe biznesit. Faza e dytë e hetimeve pritet të jetë vendimtare: zbërthimi i pajisjeve elektronike, analizimi i komunikimeve dhe ballafaqimi i dëshmive mund të përcaktojnë jo vetëm fatin penal të ish-zv/kryeministres, por edhe të gjithë zinxhirit të personave të përfshirë.