Roskovec/ Krim në familje, burri vret me pushkë gruan dhe më pas veten! Tensione dhe përplasje gjatë marrjes së trupave të viktimave
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mesditën e djeshme fshatin Kuman në Roskovec, ku një i moshuar dyshohet se ka vrarë bashkëshorten dhe më pas i ka dhënë fund jetës.
Sipas informacioneve paraprake, Shefit Rrapaj, rreth 80 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri tip pushke bashkëshorten e tij, Dashuri Rrapaj, rreth 75 vjeçe, brenda banesës së tyre. Më pas, ai dyshohet se është vetëvrarë. “Rreth orës 14:30, shtetasi Sh. Rr., rreth 80 vjeç, banues në fshatin Kuman, Roskovec, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri (pushkë), në banesë, bashkëshorten e tij, shtetasen D. Rr., rreth 75 vjeçe, dhe më pas ka vrarë veten”, njoftoi dje policia.
Çifti jetonte prej rreth 20 vitesh në këtë zonë, pasi ishin zhvendosur nga fshati Levan. Ata ishin prindër të 9 fëmijëve, 3 vajza dhe 6 djem, shumica e të cilëve jetojnë në emigracion. Vetëm njëri prej djemve banonte me prindërit dhe është shoqëruar në komisariat për të dhënë dëshminë lidhur me ngjarjen. Burime nga fqinjët në zonë bëjnë me dije për Report TV se në familje kanë ekzistuar konflikte të vazhdueshme ndër vite.
Madje, vetëm katër ditë më parë, në banesën e tyre kishte ndërhyrë edhe policia për të sqaruar një tjetër përplasje mes çiftit. Gjithashtu, mësohet se rreth 10 vite më parë, i moshuari kishte tentuar t’i jepte fund jetës me armë zjarri. Ndërkohë gjatë marrjes së trupave të viktimave ka pasur tensione dhe përplasje, duke bërë që situata mes familjarëve të Dashurisë dhe Shefitit të agravohet.
Ndërkohë burime për Report TV bëjnë me dije se e motra e Dashurisë është transportuar me urgjencë në spitalin e Fierit, pasi ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike dhe shëndetësore. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e këtij rasti të rëndë.