Një ngjarje tragjike ka ndodhur në qytetin e Bolonjës, në Itali, ku një 12-vjeçar shqiptar ka rënë aksidentalisht nga kati i tetë i një pallati.
Mësohet se ka ndërruar jetë Louis Pisha, i cili ndodhej në tarracën e një godine në Via Piave, së bashku me dy shokë të tij, kur ndodhi aksidenti fatal.
Dyshohet se i mituri ka shkelur mbi një dritare çatie prej pleksiglasi, e cila u thye papritur nga pesha e tij. Fillimisht, ai është përpjekur të mbahet pas kornizës, ndërsa shokët e tij tentuan ta ndihmonin, por nuk arritën ta shpëtonin.
Si pasojë e rënies nga kati i tetë, ai ka ndërruar jetë në vendngjarje. Menjëherë në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, por çdo përpjekje për ta shpëtuar rezultoi e kotë.
Ngjarja tragjike ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 19:00. Mësohet se i mituri nuk jetonte në ndërtesën ku ndodhi aksidenti.
Pas ngjarjes, në vendin e tragjedisë mbërritën prindërit dhe familjarët e tij, të cilët shpërthyen në lot për humbjen e parakohshme të djalit të tyre.