Avokati i Plaurent Dervishajt, Ilia Ilia pretendoi se një prej viktimave në këtë proces, Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi”, ka tentuar i pari të vrasë klientin e tij, pasi këtij të fundit i është dhënë prokurë nga të afërmit e gjyqtarit të vrarë Skerdilajd Konomi, që t’i ndihmonte për të marrë pronat e tyre në Hamallaj të Durrësit.
Avokati i të pandehurit Plaurent Dervishajt, që akuzohet për atentatin e nëntorit të vitit 2019 ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, aktualisht deputet i Partisë Demokratike, Aleksandër Lahos i njohur si “Rrumi”, një personazh i krimit të organizuar në zonën e Durrësit e Shijakut, dhe vrasjen e të ndjerit Andi Maloku, parashtroi në seancën e të martës të dhëna që sipas tij tregojnë se një prej të dëmtuarve kishte tentuar të vriste më parë klientin e tij.
Po ashtu, ai e lidhi konfliktin mes Rrumit dhe Dervishajt me prona në Hamallaj të Durrësit, që sipas tij janë të familjarëve dhe të afërmve të gjyqtarit të ndjerë, Skerdilajd Konomi, i ekzekutuar 15 vjet më parë, duke shtuar se hetimet për vrasjen e magjistratit ngrenë dyshime se ai u eliminua se po ndihmonte të afërmit të fitonin pronat.
Prokuroria e Posaçme akuzon Plaurent Dervishajn se në bashkëpunim me Redjan Rrajën, Ariol Halilin, Julian Meçajn, Bledar Polovinën, Amar Shkëmbin (alias Dritan), Ramazan Rrajën, Endrit Sinanin, Genti Nderjakun, Bashkim Haxhijan dhe Julian Pjetrin, kryen atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoja, Aleksandër Lahos dhe të ndjerit Andi Maloku. Dervishaj dhe Meçaj po gjykohen veçmas të pandehurve të tjerë, një pjesë e të cilëve janë gjykuar dhe gjetur fajtorë.
Kështu gjykata ka dënuar për këtë vrasje Redjan Rrajën, me burg për jetë, Ariol Halilin me 35 vjet burg. Të dënuar janë dhe Ramazan Rraja, Genti Nderjaku, Bashkim Haxhia, Endrit Sinani dhe Julian Pjetri.
Ekzekutimi mafioz me lëndë shpërthyese i gjyqtarit Konomi më 9 shtator të vitit 2011 tronditi trupën e magjistratëve dhe institucionet shtetërore. Konomit iu bë atentat në mëngjes kur po shkonte në punë në Gjykatën e Vlorës. Hetimet gjetën se fillimisht i ndjeri konstatoi se makina që përdorte zakonisht kishte një gomë të shfryrë dhe mori makinën që përdorte bashkëshortja, një Benz model i viteve ’80-’90.
Gjatë rrugës mjeti shpërtheu dhe gjyqtari Konomi ndërroi jetë pas pak çastesh. Skena e rëndë u transmetua live nga mediat duke ngjallur panik në publik. Nga ekspertiza rezultoi se për realizimin e atentatit ishte përdorur të paktën një sasi prej 400 gr C4 e montuar poshtë sediljes së drejtuesit të mjetit. Ngjarja vijon të mbetet e pazbardhur, pa autor dhe motiv konkret.
Avokati Ilia pretendoi në gjykatë se dy atentatet ishin të lidhura, ndërsa tha ndër të tjera se prokuroria nuk ka përcaktuar nëse objektiv i atentatit të 1 nëntorit 2019 për të cilin akuzohet Plaurent Dervishaj, ishte prokurori Arjan Ndoja, apo dy a më shumë persona.
Ai konstatoi se familjarët e të afërmit e gjyqtarit të ndjerë, Skerdilajd Konomi, kanë kërkuar gjyqësisht përfitimin e tokave të tyre në Hamallaj të Durrësit, në cilësinë e trashëgimtarëve. Sipas tij, megjithëse vrasja e gjyqtarit Konomi mbetet ende e pazbardhur, nga hetimi ka dyshime se është vrarë pasi po ndihmonte të afërmit për të fituar pronën e tyre.
Ai shtoi se trashëgimtarët e asaj pasurie nuk e kanë fituar ende pronën, ndërkohë që Aleksandër Laho, i cili rezulton të jetë palë e dëmtuar në këtë proces penal, ka marrë një pjesë të pronave të tyre në Hamallaj.
Një hetim i Prokurorisë së Posaçme, ende i papërfunduar, tregon se si një grup i akuzuar për krim të organizuar, i drejtuar nga Aleksandër Laho, kontrollonte regjistrat e vjetër të pronave në arkivat e Kadastrave dhe i përdori ato për të marrë nën kontroll mijëra metra katrorë tokë në bregdetin e Durrësit dhe Tiranë – për t’i shitur më pas te të tretët.
Në vijimin e seancës, avokati Ilia Ilia parashtroi se i mbrojturi prej tij, i pandehuri Plaurent Dervishaj, duke u njohur në Durrës si njeri i fortë, të afërmit e gjyqtarit Konomi i kanë lëshuar një prokurë që t’i ndihmojë për të marrë pronën e tyre.
Ai pretendoi se Pëllumb Muharremi alias Aleksandër Laho, është mërzitur nga ky fakt dhe prandaj është tentuar vrasja e Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçajt më 20 qershor të vitit 2019 – ngjarje e ndodhur rreth katër muaj e gjysmë para atentatit ndaj Ndojës dhe Rrumit. Avokati Ilia theksoi se atentati ndaj Dervishajt dhe Meçajt, është ende i pazbardhur, edhe pse po hetohet nga Prokuroria e Durrësit dhe nga SPAK.
“Dhe vjen për gjykim kjo çështje, kur duhej të zbardhej më parë ajo ngjarje, që ka dhe motivin”, u shpreh Ilia dhe filloi të lexonte të dhëna nga një dosje, ku sipas tij, Aleksandër Laho rezultonte i përfshirë në kryerje të veprave kriminale në kuadër të grupit kriminal e falsifikime. Po ashtu, lexoi komunikime, që sipas tij ishin realizuar mes Lahos e bashkëpunëtorëve të tij, për të goditur Plaurent Dervishajn.
“Është e provuar se Aleksandër Laho ka bashkëpunuar e siguruar kushtet për vrasjen e Plaurent Dervishajt, Lulzim Berishajt etj.”, deklaroi Ilia ndër të tjera. Sipas tij, kjo ka ndodhur për arsye se Laho ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme prona dhe pasi Dervishajt i është dhënë prokura nga trashëgimtarët e asaj pasurie, ka tentuar ta eliminonte atë.
“Thotë bjeri Lentit mos e rruaj për asgjë. Ke okejin nga unë për Lentin. Merrini lekët Rrumit dhe bijini”, lexoi ai komunikime që i cilësoi se tregonin për sigurimin e kushteve për vrasjen e Plaurent Dervishajt.
Prokurori Adnan Xholi konstatoi se të dhënat që po lexoheshin nga avokati përbëjnë sekret hetimor, pasi i përkasin një tjetër çështjeje që është ende nën hetim. Avokati Ilia konstatoi se ato të dhëna janë bërë publike nga media, pasi SPAK dhe Gjykata e Posaçme nuk ua ka vendosur në dispozicion, edhe pse i kanë kërkuar.
Xholi kërkoi që seanca të vijohej me dyer të mbyllura, por avokatja tjetër e Plaurent Dervishajt vërejti se do të lexonte dhe ajo vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ish-prokurorin Arjan Ndoja, që sipas saj ka të dhëna të vlefshme për gjykimin.
Trupi gjykues vendosi të vijojë me dyer të mbyllura dhe më vonë u shpreh lidhur me kërkesat e avokatëve të Dervishajt për marrjen e provave të reja, si dhe të avokatëve të Meçajt, që kërkuan papërdorshmëri të akteve, duke sjellë në vëmendje vendime të autoriteteve gjyqësore holandeze, lidhur me të dhënat e Sky ECC dhe Encrochat. Sipas tyre, gjykatat holandeze i kanë rrëzuar kërkesat e prokurorisë për të bërë përgjigje për këto të dhëna. Nga mbrojtja e Meçajt u pretendua se nga provat që kanë siguruar, këto përgjime rezultojnë se janë kryer në mënyrë masive dhe jo procedurale.
Gjykata riçeli seancën pasi u tërhoq për rreth një orë për të vendosur lidhur me kërkesat e mbrojtësve për administrimin e provave të reja. Kryesuesja e trupit gjykues, gjyqtarja Marinela Osmani vërejti se vendimi i KPK dhe aktet e tjera nuk kanë lidhje me këtë proces penal. Lidhur me kërkesën për papërdorshmërinë e të dhënave të marra nga Sky ECC dhe Encro Chat, u konstatua se gjykata ishte shprehur më parë. Po ashtu, kryesuesja u shpreh se palët kanë pasur dijeni dhe mundësi për t’i dorëzuar provat në momentin e duhur procedural.
Në këtë moment, avokati Ilia Ilia u ngrit dhe tha se do largohej. Gjykata vërejti se kjo sjellje e tij ishte fyerje për gjykatën, pasi seanca nuk kishte përfunduar. Teksa avokati Ilia po kalonte përmes sallës, gjykata ftoi prokurorin Adnan Xholi për të paraqitur konkluzionet përfundimtare, por ai kërkoi kohë dhe seanca u shty për më datë 8 maj, në orën 09:30. (BIRN)