“Autorët dolën nga makina dhe e qëlluan sërish”/ Gazetarja zbardh dinamikën e atentatit në Balldren
Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja tronditëse nga atentati mafioz i ndodhur më 26 prill në Balldren, ku mbetën të vrarë Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij, Gentiana Mujeci.
Sipas hetimeve, çifti ishte vënë në ndjekje menjëherë pasi kishte dalë nga një lokal dhe po kthehej drejt banesës. Pamjet filmike tregojnë se automjeti i tyre u bllokua fillimisht nga një mjet tjetër në dalje të Balldrenit. Në atë moment, Kreshnik Mujeci tentoi të largohej duke bërë marsh mbrapa. Por autorët kishin organizuar një pritë të mirëplanifikuar.
Nga pas automjetit të viktimave u afrua një tjetër makinë, e cila hapi zjarr me breshëri automatiku në lëvizje. Pasi makina e çiftit mbeti e bllokuar, autorët zbritën dhe qëlluan sërish pa mëshirë drejt tyre. Pas ekzekutimit, autorët u larguan me shpejtësi nga zona, ndërsa një automjet tjetër dyshohet se i ndiqte nga pas. Ngjarja alarmoi menjëherë Policia e Lezhës dhe solli angazhimin e ekspertëve kriminalistë nga Tiranë. Hetimet u fokusuan tek analizimi i kamerave të sigurisë dhe itinerari i lëvizjes së viktimave dhe autorëve.
Si rezultat i hetimeve u identifikua një automjet tip Audi A4, që dyshohet se përdorej për vëzhgimin e lëvizjeve të viktimave. Policia identifikoi si autorë të dyshuar Adriano Mhillaj, Florin Mhillaj dhe Renato Mhillaj. Më vonë, në fshatin Torovicë, u gjet edhe automjeti tjetër tip Volkswagen Polo pa targa, që dyshohet se u përdor në atentat. Brenda tij u sekuestruan gëzhoja dhe prova të tjera materiale. Sipas Prokuroria e Lezhës, pista kryesore e hetimit mbetet hakmarrja, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.