Policia e Sarandës ka zbardhur atentatin me eksploziv të ndodhur në fillim të muajit shkurt në Konispol, ku shënjestër ishte 57-vjeçari Mirash Gjikola. Pas hetimeve të Policisë dhe Prokurorisë, autoritetet kanë identifikuar dy persona si të dyshuar për ngjarjen dhe i kanë shpallur në kërkim. Gjykata e Sarandës ka vendosur ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg” pasi akuzohen për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Sipas hetimeve, dyshohet se autorët kanë vendosur një sasi lënde plasëse në automjetin që drejtohej nga 57-vjeçari, me qëllim eliminimin e tij fizik. Ngjarja ka ndodhur më 5 shkurt 2026, në zonën e njohur si “Kryqëzimi i Urës së Vrinës” në Konispol. Policia bëri të ditur se hetimet intensive dhe provat e mbledhura kanë çuar në identifikimin e autorëve të dyshuar, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e tyre.
Autoritetet po hetojnë gjithashtu për persona të tjerë që mund të kenë pasur rol në organizimin ose ekzekutimin e atentatit. “Si rezultat i një pune intensive hetimore nga strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë dhe Komisariatin e Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 05.02.2026, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Vrinës”, në Konispol, pas provave të grumbulluara dhe informacioneve të siguruara, u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, konkretisht shtetasve: G. T., 39 vjeç dhe Xh. B., 39 vjeç, të dy banues në Sarandë. Për këta shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë vendosur një sasi lënde plasëse në automjetin që drejtohej nga shtetasi M. Gj., 57 vjeç, me qëllim vrasjen e tij. Strukturat e Policisë vijojnë punën intensive për lokalizimin, kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje”, njoftoi policia.
Si ndodhi ngjarja?
Mirash Gjikola teksa udhëtonte me automjetin e tij në aksin Shëndëlli-Vrinë dëgjoi një zhurmë të pazakontë në mjetin e tij dhe ndaloi për ta kontrolluar. 57-vjeçari vuri re se në sediljen e pasme të automjetit ishte vendosur një sasi lëndë plasëse, ndaj njoftoi menjëherë policinë. Në vendngjarje shkuan forca të shumta policie dhe ekspertë të RENEA-s, të cilët krijuan perimetrin e sigurisë dhe çaktivizuan lëndën plasëse. Mirash Gjikola nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi në vitin 2012 plagosi me armë zjarri 40-vjeçarin Dedë Kovaçin, i njohur ndryshe edhe si Dedë Gjini, ngjarje për të cilën u dënua me 8 vite burgim për tentativë vrasjeje. Pasi mbaroi vuajtjen e dënimit, 57-vjeçari Gjikola u shpërngul nga Lezha për të jetuar në fshatin Shëndëlli të Sarandës. Nga ana tjetër, gjatë veprimeve hetimore policia identifikoi dhe shpalli në kërkim 54-vjeçarin nga Lezha Dedë Gjini, i cili dyshohej se vendosi eksplozivin në automjetin e Mirash Gjikolës. 54-vjeçari Gjini u shpall në kërkim për veprat penale “Shkatërrimi i Pronës me eksploziv”, “Kanosje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, ndërsa vijon puna për kapjen e tij.