Komanda e Forcave të Operacioneve Speciale të NATO-s ka publikuar disa fotografi nga stërvitja e zhvilluar nga Forcat e Operacioneve Speciale shqiptare në bashkëpunim me instruktorët e Forcave Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke nxjerrë në pah përgatitjen intensive dhe bashkëpunimin e ngushtë mes aleatëve në kuadër të forcimit të sigurisë dhe gatishmërisë operacionale.
Në njoftimin e publikuar, NATO thekson rëndësinë e stërvitjes përpara çdo misioni, duke nënvizuar se përgatitja është thelbësore për t’u përballur me situatat më të vështira në terren. “Përpara misionit vjen stërvitja. Përpara presionit vjen përgatitja”, thuhet në mesazhin e shpërndarë nga Komanda e Forcave të Operacioneve Speciale të NATO-s.
Sipas njoftimit, përmes skenarëve sfidues dhe kushteve që simulojnë situata reale operacionale, Forcat e Operacioneve Speciale të NATO-s vazhdojnë të forcojnë aftësitë e tyre, duke përmirësuar nivelin e gatishmërisë, precizitetin në veprim dhe koordinimin e nevojshëm për të operuar në mjedisin kompleks dhe gjithnjë në ndryshim të sigurisë globale.
Në këtë kuadër, Ministria e Mbrojtjes, Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Forcat e Operacioneve Speciale shqiptare janë angazhuar në stërvitje të përbashkëta me instruktorët e Forcave Speciale amerikane, me fokus të veçantë në lëvizjen përmes terreneve të vështira, zhvillimin e operacioneve me ekspozim minimal dhe neutralizimin e kërcënimeve në kushte sa më reale.