Lushnjë/ Fermerët kritikojnë skemën e re të subvencioneve: Po punojmë e në fund dalim me zero! Çmimet janë rritur

Burokraci të shtuara dhe kritere të forta për përfitimin nga skema mbështetëse në bujqësi. Kështu e cilësojnë fermerët në Lushnje.

“Ka shumë burokraci. Duhet të thjeshtohen gjërat. Ne tokën e kemi marrë me copëza dhe tani na thonë të bashkohemi. Nuk është e lehtë.”

Sipas tyre, bashkimi i fermerëve për të plotësuar sipërfaqen prej 3 hektarësh , si dhe faturat dhe sigurimet shoqërore, e vështirësojnë aplikimin.

Ata e konsiderojnë të pamjaftueshëm subvencionin për blerjen e inputeve bujqësore dhe kanë vështirësi për shitjen e prodhimit tek tregtarë të licencuar.

Fermerët thonë se heqja e subvencionit për karburantin ka rritur më tej kostot e punës në bujqësi, sidomos për vaditjen dhe punimet mekanike.

“Ne vadisim me pompa dhe karburanti është shumë i shtrenjtë. Kjo po na rëndon shumë.”
Ndërkohë, edhe sektori i blegtorisë po përballet me rënie të çmimit të qumështit, ndërsa ankohen për mungesë stabiliteti në treg.

Pavarësisht ankesave, procesi i aplikimeve për skemën mbështetëse po ecën normalisht në gjithë vendin. Fondi është 5.2 miliardë lekë dhe aplikimet do të jenë të hapura deri më 25 qershor.© Lajmiifundit.al

Leave a Comment