E dashura e Safet Bajrit (Rustemi) akuzohej se ndihmoi këtë të fundit që të largohej nga vendi i krimit pas atentatit vdekjeprurës ndaj Fatbardh Liçit në Shkodër, më 10 gusht 2018.
Ago u lirua pas ankimimeve të depozituara, por SPAK ishte kundër dhe bëri ankimim në Gjykatën e Lartë, e cila ka shpallur vendimin (foto poshtë), duke lënë në fuqi lirimin e bërë nga shkalla e dytë e GJKKO.
Gjykata e Apelit të Posaçëm ia ka zëvendësuar masën nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”.
Dosja e SPAK, akuza dhe vrasja e Licit
Sipas dosjes hetimore të SPAK, dyshohet se pas vrasjes së Fatbardh Licit, Eria Ago ka marrë me makinë dhe ka sjellë në Tiranë, Astmer Bilalin, ndërsa Safet Bajri ka qëndruar në Shkodër.
Për krimin në pranga kanë rënë Safet Bajri, i njohur si i forti i Dobraçit, Behar Bajri dhe krahu i djathtë i klanit kriminal Bajri, Astmer Bilali. Sipas SPAK, Fatbardh Lici u vra për shkak të përplasjes mes grupeve.
Viktima është xhaxhai i Ibrahim Licit, kundërshtarit të përbetuar të Bajrave, që ndodhet në kërkim ndërkombëtar.
“Vrasja e shtetasit Fatbardh Lici ka ndodhur rreth orës 07:00 dhe biseda zhvillohet 20 minuta pas vrasjes, kohë në të cilën rezulton se mjeti tip ‘Benz’ me targë AA 989 TE, që shfaqet në vendin e ngjarjes, po drejtohej nga shtetasja E.A. Nga kjo telefonatë kuptohet që shtetasi Astmer Bilali është nën shoqërinë e shtetasit Safet (Bajri) Rustemi dhe bisedon me të dashurën e Safetit. Nga kjo telefonatë kuptohet gjithashtu që personat nën hetim janë në shoqërinë e njëri-tjetrit, dhe se mjeti tjetër përdoret nga E.A”, thuhet në dosjen hetimore.
Po ashtu, sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Shkodrës, e cila ka hetuar fillimisht vrasjen dhe më pas SPAK, rezulton se pasi ka ardhur në Tiranë, Astmer Bilali ka komunikuar me shtetasin Denis Brajoviqin, ku i ka bërë me dije se automjetin dyshohet se ia ka lënë tek shtetasi Pëllumb Gjoka.

Ai ka komunikuar edhe me personin nën hetim Behar Bajri, të cilit i ka kërkuar që të zbriste dhe t’i linte çelësat dhe më pas është larguar në drejtim të Vlorës.
“Pasi personat kanë kryer vrasjen, personi nën hetim Safet Rustemi ka qëndruar në Shkodër, ndërsa personi në hetim Astmer Bilali është larguar menjëherë për në Tiranë së bashku me shtetasen E.A. Pasi ka arritur në Tiranë, ai i ka kërkuar rojes së parkimit në zonën e ish-kinemës ‘Partizani’ dhe ka komunikuar me shtetasin Denis Brajoviqin, ku i ka bërë me dije se automjetin ia ka lënë dyshohet tek shtetasi Pëllumb Gjoka. Ai ka komunikuar edhe me personin nën hetim Behar Bajri, të cilit i ka kërkuar që të zbriste dhe t’i linte çelësat. Më pas ai është larguar në drejtim të Vlorës.
Këto rrethana rezultojnë të provuara nga komunikimet e shumta telefonike të kryera ndërmjet personave nën hetim, si dhe nga komunikimet e kryera nga personi nën hetim Astmer Bilali me shtetasen E.A., si dhe nga tabulatet telefonike, pamjet filmike dhe vendndodhjet e personave nën hetim,” thuhet në dosjen hetimore.
Kujtojmë se Safet Bajri u arrestua me urdhër të SPAK më 21 shkurt 2025. Bajri dhe anëtarët e grupit të tij janë të dyshuar për vrasjen e Fatbardh Licit, vëllai i Mustafa Licit, ky i fundit babai i Ibrahim Licit dhe Hamza Licit, i cili u ekzekutua me breshëri plumbash më 10 gusht të vitit 2018 në Kiras të Shkodrës.
KUSH ËSHTË E DASHURA E SAFET BAJRIT DHE CILI ËSHTË ROLI I SAJ NË VRASJEN E FATBARDH LICIT
E dashura e Safet Bajrit, shtetasja Eria Ago, pronare e një dyqani në zonën e Myslym Shyrit në Tiranë, është vënë në pranga 5 ditë pas partnerit të saj Safet Bajri, i cili u arrestua më 17 shkurt 2025.
Gjykata e Posaçme caktoi ndaj saj masën e “arrestit me burg”, për akuzat e krijimit të kushteve për të kryer vrasje dhe përkrahje te autorit të krimit.
Ajo ka shërbyer si drejtuesja e automjetit me të cilin ndodheshin Astmer Bilali dhe Safet Bajri, duke çuar dy ekzekutorët e Licit drejt Shkodrës ditën e vrasjes.
Dosja Hetimore
Duke qenë se Ibrahim Lici ishte e vështirë për t’u takuar, Behar Bajri për t’u hakmarrë në lidhje me vrasjen e mikut të tij Boran Bërçana, duke krijuar një konflikt midis Astmer Bilalit dhe Ibrahim Licit, inskenoi vrasjen e xhaxhait të këtij të fundit, Fatbardh Lici, pasi ky i fundit konsumonte vazhdimisht kafenë në orarin e zakonshëm, në lokalin e marrë me qira nga vëllai i tij Sokol Lici.
Sipas grupit hetues fakti që Astmer Bilali dhe Safet Bajri kanë udhëtuar në të njëjtën makinë të drejtuar nga e dashura e këtij të fundit, drejt Shkodrës, në orët e para të mëngjesit të datës 10 Gusht, provohet edhe nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë në lokacione të ndryshme ku ata kanë lëvizur.
Nga përgjimet, tabulatet telefonike dhe këqyrja e pamjeve filmike, është arritur në përfundimin se Safet Bajri dhe Astmer Bilali, kanë lëvizur drejt Shkodrës mëngjesin e krimit, me dy makina të ndryshme. Njëra prej të cilave në pronësi të Denis Brajoviq, dhe më pas pasi kanë mbërritur në qytet, janë drejtuar në vendin e krimit, me një automjet tip ‘Benz’ të vjedhur më parë.
Pasi është kryer krimi, po ky automjet ka lëvizur në drejtim të zonës së Dobraçit. Aty është parë të futet në rrugicën që të çon tek lokali që i përket familjes së ‘Bajrave’, nga ku dyshohet se ka zbritur Safet Bajri (Rustemi) dhe më pas Astmeri i cili ka djegur automjetin, për t’u bashkuar më pas sërish me Safetin.
Po sipas grupi hetues, fill pas krimit, Astmer Bilali, rezulton se është larguar nga Shkodra për në Tiranë, me një automjet tip ‘Volksqagen’, në pronësi të Denis Brajoviq.
