Moti gjatë fundjavës do të karakterizohet nga ulje temperaturash, reshje të përkohshme dhe erë e fortë, sidomos në zonat bregdetare. Meteorologia Lajda Porja tha se reshjet gjatë natës kanë përfshirë të gjithë territorin, ndërsa pasditja e së shtunës pritet të sjellë zhvillim të vranësirave dhe reshje më të përqendruara në veri dhe verilindje.
“Parashikohet që pas mesditës temperatura të jenë 22-23 gradë Celsius në disa zona. Presim që pjesën e dytë të ditës të kemi zhvillim të vranësirave të cilat do të sjellin reshje. Më të fokusuara ose më të dendura do të jenë kryesisht në zonat veriore dhe verilindore”, u shpreh Porja.
LEXO EDHE: E forte! Sali Berisha do largimin me shume protestues, Edi Rama i bën përgjigjen që befason
Powered by Inline Related Posts
Sipas saj, në qendër dhe jug reshjet do të jenë më të pakta, megjithëse nuk përjashtohen rrebeshe të izoluara në zona si Librazhdi dhe Elbasani. Ajo shtoi se dita e diel do të sjellë përmirësim të situatës, me reshje të kufizuara vetëm në zonat malore.
“Parashikohet në fakt që e diela të sjellë një përmirësim të situatës duke i zhvendosur reshjet vetëm drejt zonave malore dhe në sasi të pakta”, tha meteorologia.
Porja theksoi se temperaturat gjatë kësaj fundjave do të jenë rreth 3 gradë më të ulëta se vlerat normale për muajin maj, ndërsa era do ta bëjë të ftohtin më të ndjeshëm, veçanërisht në bregdet.
Megjithatë, sipas saj, kjo situatë do të jetë e përkohshme dhe nga fillimi i javës tjetër pritet rikthim gradual i temperaturave tipike të sezonit.
“Nëse të dielën presim 21 gradë Celsius, pritet që të hënën, të martën, mërkurën sërish të kemi rritje duke e çuar termometrin në vlera tipike të temperaturave të majit 25 gradë”, deklaroi Porja.
Meteorologia paralajmëroi se pas datave 21-22 maj pritet një tjetër rritje e ndjeshme e temperaturave.
“Mund të them që pas datës 21-22 ne presim një ndryshim total të situatës termike. Do të kemi temperatura edhe 28 apo 29 gradë Celsius”, tha ajo.
Sa i përket reshjeve, Porja sqaroi se moti do të mbetet i paqëndrueshëm deri në fund të muajit, me rrebeshe afatshkurtra dhe stuhi të izoluara në disa zona malore të verilindjes dhe juglindjes.
“Do kemi herë pas herë kthjellime, vranësira, rrebeshe, më pas sërish diell. Situata është e paqëndrueshme deri në fund të majit”, u shpreh meteorologia për Euronews Albania.
Ajo shtoi se java e ardhshme do të jetë më e favorshme për frekuentimin e bregdetit, pasi vija bregdetare pritet të ketë më pak reshje krahasuar me zonat malore dhe disa qytete të ultësirës perëndimore si Shkodra, Tirana, Elbasani, Fieri dhe Lushnja.