FAJI I NATYRËS APO I PARAVE?Rama mbron Ballukun dhe sulmon opozitën: ‘Zhurmë penxheresh për të bllokuar Shqipërinë!

Kryeministri Edi Rama tha sot në episodin e radhës të podkastit të tij “Flasim” se ashtu siç e theksoi edhe në mbledhjen e zgjeruar të grupit të PS-së të enjten, do të presë raportin e Këshillit të Mandateve për të marrë një vendim mbi heqjen apo jo të imunitetit të zv/kryeministres së pezulluar dhe shkarkuar për abuzim me detyrën nga SPAK e GJKKO.

Ai nënvizoi se tashmë ka kryer edhe ndryshimet në qeveri, duke emëruar në vend të Ballukut ministren e Brendshme, Albana Koçiu.

“Ashtu siç e thashë edhe në mbledhjen e zgjeruar të grupit të PS, do pres raportin e Këshillit të Mandateve për t’u shprehur rreth imunitetit të Ballukut. Në vend të saj do të jetë Albana Koçiu. Po aty ndava me deputetët edhe planin e ndryshimeve në qeveri, të cilat janë pjesë e një qasjeje të re për të cilën kam folur që në fjalën drejtuar Asamblesë Kombëtare në nisje të këtij mandati”, tha mes të tjerash Rama shkurtimisht për këtë çështje.

Kreu i qeverisë tha se ndryshimet dhe funksionimi i qeverisë janë si skuadër sportive, duke theksuar diferencën mes një ekipi futbolli dhe një skuadre basketbolli, për të ilustruar nevojën për riformatim dhe përshtatje të vazhdueshme.

Sipas tij, ndryshimet ishin të parapara, por theksoi se:

“Në rrethana të tjera, Belinda Balluku nuk do të ishte larguar nga detyra”, duke cilësuar rezultatet e saj në punë si “të jashtëzakonshme”.“Natyrisht që nëse rrethanat do të ishin ndryshe, nuk do të kishte ndryshuar për shkak të rezultateve të jashtëzakonshme në punë”, u shpreh Rama.

Më tej ai kaloi tek pika kryesore e ditës, që ka shkaktuar edhe shumë revoltë popullore, izolimi i juglindjes dhe shembja e rrugëve kombëtare.

Ai foli gjatë duke akuzuar opozitën me bombat artizanale dhe mediat, se po bëjnë zhurmë, pasi ishin rrëshqitje nga moti i keq si në të gjithë botën e rajonin e jo vepra të korrupsionit.

“Do të ndalem këtu te bombat artizanale që shpërthyen në 700 penxheret e Shqipërisë. Lidhet me një fatkeqësi, me ndërhyrjen e një force madhore, në aksin e Korridorit të tetë, aksin ku ndërtohet një nga veprat më kuptimplota të Shqipërisë, që pas rënies së regjimit. Kjo zhurmë, kjo çmenduri që çoi në veshin e shqiptarëve se ajo rrëshqitje prej 100 metrash në një aks qindra kilometra nuk ishte fatkeqësi, është një ardhje rrotull këmbësh rreth Shqipërisë në misionin e saj për të arritur në majën ku duan të shkojnë shqiptarët, në BE”, tha ai.

Më tej Rama këmbënguli se kjo zhurmë bëhej për të penguar vendin drejt integrimit, teksa u shpreh se rruga dhe misioni nuk do ndalet.

“Shqipëria po e lufton korrupsionin më shumë se asnjëherë. Po kaq e vërtetë është kjo sa lidhja e korrupsionit me rrëshqitjen, zero, zero. Aty ka diçka gjeologjike dhe asgjë që lidhet me kantierin dhe punimet që janë bërë në segmentin Elbasan-Qafë-Thanë, por në rrugën e vjetër ku materialet argjilore dhe formacionet janë efektuar si në shumë vende, përfshi e Greqinë fqinje, për shkak të reshjeve të pandërprera prej ditësh. ARRSH ka ndërhyrë menjëherë, Policia ka siguruar prani 24 orë, në të gjitha ditët, që kur ka ndodhu bllokimi. Puna intensive nuk është ndalur asnjë minutë, as puna për stabilizim të terrenit. Ekipet janë në terren për të shkuar përtej riparimit sipërfaqësor. Këto bëhen që të ndalin Shqipërinë drejt BE, por Shqipëria nuk ndalet”, tha ai.

Leave a Comment

VAZHDO LEXIMIN