Ja si drejtori i OSSH Blendian Dalipi u pasurua me tenderët publikë, periudha e artë e kompanisë

Më 1 nëntor 2024, Akil Kraja i PD, denoncoi publikisht atë që e cilësoi si një shtrirje të “modelit 5D” nga Bashkia e Tiranës drejt Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës që drejtohej nga Belinda Balluku.

Në qendër të akuzave ishte kompania “I.D.K KONSTRUKSION”, e cila sipas opozitës ka përfituar mbi 30 milionë euro tenderë publikë në vitet e fundit.

Sipas deklaratës, kjo kompani rezulton të jetë në pronësi të familjarëve të Blendian Dalipi, drejtor i Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, ndërsa vetë Dalipi përmendet si pronar i kompanisë “ABNID”, e cila ka përfituar mbi 10 milionë euro nënkontraktime direkte nga “I.D.K KONSTRUKSION”.

Partia Demokratike ka vendosur t’i përcjellë organeve të drejtësisë dhe SPAK një rast të ri të këtij modeli, atë të I.D.K KONSTRUKSION.

Një kompani që ka përfituar në vitet e fundit mbi 30 milion euro tenderë publikë, ndërkohë që ka dyshime të arsyeshme se ajo shërbente si një kompani guackë për transferta të dyshimta drejt familjarëve të pronarëve të saj, drejtues të nivelit më të lartë pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës.

Rikujtojmë se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës është prekur nga fenomeni i drejtorëve me biznese fiktive edhe në rastin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, drejtuesi i të cilit, Evis Berberi, shpallte fitues kompaninë ‘Net Group’ dhe ‘DAAM’, kompani që zotëroheshin praktikisht nga ai vetë.

Leave a Comment

VAZHDO LEXIMIN