Tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të përshkallëzohen, ndërsa një deklaratë e fundit nga Irani ka ngritur shqetësime edhe për sigurinë në vende të tjera, përfshirë Shqipërinë.
Sipas mediave iraniane, një zëdhënës ushtarak i Iranit ka paralajmëruar se ambasadat izraelite në të gjithë botën mund të bëhen objektiv, nëse Izraeli ndërmerr një sulm ndaj ambasadës iraniane në Bejrut.
Deklarata vjen në një moment kur situata në Liban është tensionuar ndjeshëm. Ushtria izraelite ka bërë të ditur më herët se ka nisur sulme ndaj objektivave të Hezbollahut në Bejrut, duke rritur frikën për një përshkallëzim të ri të konfliktit në rajon.
Kërcënimi për ambasadat izraelite në nivel global ngre shqetësime edhe për vendet ku ndodhen përfaqësi diplomatike të Izraelit, përfshirë edhe Shqipërinë, e cila është aleate e SHBA-së dhe partnere e Izraelit.
Autoritetet ndërkombëtare pritet të rrisin masat e sigurisë rreth ambasadave dhe objekteve diplomatike, ndërsa situata mbetet e tensionuar mes Iranit, Izraelit dhe aleatëve të tyre.