Fundjava në Shqipëri pritet të karakterizohet nga mot kryesisht i qëndrueshëm dhe temperatura të larta, ndërsa në fillim të javës së ardhshme parashikohet rikthimi i reshjeve të shiut.
Sinoptikania Elida Maloçali ka treguar se gjatë ditëve në vijim të muajit mars do të mbizotërojnë fillimisht kushte të qëndrueshme atmosferike dhe mot i kthjellët, me temperatura që mund të arrijnë deri në 24 gradë Celsius.
Sipas saj, nga mesdita e së dielës dhe gjatë ditës së hënë pritet një ndryshim i motit, me rikthimin e reshjeve të shiut në disa zona të vendit.
Maloçali theksoi se në disa momente mund të ketë edhe shtrëngata afatshkurtra, kryesisht përgjatë vijës bregdetare.
Ndërkohë, për ditën e martë, parashikohet sërish stabilizim i kushteve atmosferike, me mot më të qëndrueshëm.
Sa i përket temperaturave, sinoptikania bëri me dije se ato nuk do të pësojnë ndryshime të ndjeshme, duke u luhatur deri në rreth 22 gradë Celsius në ditët në vijim.