Vr*u pa mëshirë kunatën dhe 3 fëmijët e saj, ja me sa vite burg dënohet Aliu

Një burrë në Britaninë e Madhe është dënuar me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi, pasi i vuri zjarrin një shtëpie në qytetin e Bradfordit, duke shkaktuar vdekjen e kunatës së tij dhe tre fëmijëve të saj të vegjël. Ngjarja tragjike ndodhi si pasojë e një sulmi hakmarrjeje ndaj ish-partneres së tij.

Autori i krimit, 40-vjeçari Sharaz Ali, u shpall fajtor për vrasjen e Bryonie Gawith, 29 vjeçe, dhe tre fëmijëve të saj Denisty Gawith (9 vjeç), Oscar Gawith (5 vjeç) dhe Aubree Birtle (22 muajshe). Ata humbën jetën kur shtëpia ku jetonin u përfshi nga flakët. Sipas gjykatës, Ali kishte planifikuar sulmin pasi ish-partnerja e tij, Antonia Gawith, kishte vendosur t’i jepte fund lidhjes me të. I shtyrë nga xhelozia dhe dëshira për hakmarrje, ai shkoi në banesën ku ajo jetonte së bashku me motrën e saj dhe fëmijët.

Ngjarja ndodhi më 2024 në një shtëpi në Bradford. Ali shkoi atje së bashku me një bashkëpunëtor, Calum Sunderland, 27 vjeç. Sipas Prokurorisë, Sunderland theu derën e përparme të shtëpisë me urdhër të Ali, duke i hapur rrugën, që ai të hynte brenda. Brenda shtëpisë, Ali hodhi benzinë mbi Antonia Gawith-it, me qëllim që ta digjte të gjallë. Megjithatë, ajo arriti të arratisej në momentet e fundit. Pas kësaj, Ali i vuri zjarrin banesës. Në atë moment në shtëpi ndodheshin motra e saj Bryonie me tre fëmijët, të cilët mbetën të bllokuar brenda, ndërsa zjarri u përhap me shpejtësi.

Gjykata dëgjoi se Bryonie Gawith kishte treguar një guxim të madh, duke u përpjekur ta ndalonte agresorin të ngjitej në katin e sipërm të shtëpisë, në një përpjekje për të mbrojtur fëmijët e saj. Megjithatë, flakët u përhapën shpejt dhe familja nuk arriti të shpëtonte.

Gjatë gjyqit në Gjykatën e Doncasterit, gjyqtari deklaroi se sulmi kishte qenë i planifikuar dhe se Ali kishte treguar një mungesë të plotë ndjeshmërie për jetën e fëmijëve, duke i konsideruar ata si “dëme anësore të pranueshme” në planin e tij për hakmarrje. Për këtë krim të rëndë, gjykata vendosi ndaj Sharaz Ali një dënim me burgim të përjetshëm, shoqëruar me urdhër, që mos të ketë kurrë mundësinë për lirim apo ulje dënimi.

Ndërkohë, bashkëpunëtori i tij Calum Sunderland u shpall fajtor për vrasje nga pakujdesia dhe u dënua me burgim të përjetshëm me një periudhë minimale prej 18 vitesh, para se të mund të kërkojë lirimin me kusht. Në deklaratën e saj para gjykatës, ish-partnerja e autorit Antonia Gawith tha se ajo jeton me kujtimet e asaj nate tragjike dhe me dhimbjen e humbjes të jetës të së motrës dhe tre fëmijëve.

Ajo u shpreh se pamja e trupave të pajetë të familjarëve të saj është një kujtim që nuk do ta harrojë kurrë. “Çdo frymëmarrje që nga ajo ditë është një përpjekje për të jetuar në një botë që nuk ndihet më e sigurt dhe e drejtë”, tha ajo. Pas vendimit të gjykatës, Antonia deklaroi se asnjë dënim nuk mund ta kthejë mbrapsht familjen e saj dhe se asgjë nuk mund të zëvendësojë dashurinë, zërat dhe përqafimet e të afërmve. /BBC/

Leave a Comment

VAZHDO LEXIMIN