Pjesë nga dokumentari:
Por nëse Franc Çopja iu dorëzua autoriteteve belge në fundin e vitit 2023, duke shënuar kështu me dënimin e tij dhe fundin e një perandorie, duke i dhënë në këtë mënyrë lamtumirë rehatisë së tyre, ndryshe nga i vëllai që vazhdon të gjejë strehë aty, të tjerë shqiptarë të krimit po riatdhesohen nga Dubai për llogari të drejtësisë shqiptare.
I fundit në radhë ishte Durim Bami, i njohur ndryshe si një nga të fortët e Niklës në Fushë-Krujës, i cili pas dy vitesh procedura ligjore nga autoritetet ligjzbatuese në Emiratet e Bashkuara Arabe, në fundin e muajit shkurt të këtij viti u ekstradua në Shqipëri. Ku do të përgjigjet për shumë ngjarje kriminale ku ka qenë pjesëmarrës, pas përplasjeve që kishte me grupin e Emiljano Shullazit dhe të mbretit të zhdukur të kumarit, Ervis Martinaj.
Një prej tyre është Denis Matoshi, i njohur si Eldi Dizdari, i konsideruar drejtues i një prej organizatave më të mëdha shqiptare të trafikut të kokainës. Ai dyshohet se ka drejtuar operacionet nga Dubai, ndërsa në Shqipëri dhe Itali vijon të jetë në kërkim.
Dokumentari thekson gjithashtu se, pavarësisht sekuestrimeve të pasurive në Shqipëri, fuqia ekonomike e këtyre grupeve mbetet e lartë. Ekspertët nënvizojnë se Dubai ka shërbyer si një qendër koordinimi për krimin ndërkombëtar, duke ofruar njëkohësisht mundësi për investim dhe mbrojtje nga ndjekja penale, edhe pse kohët e fundit është vënë re një rritje e bashkëpunimit për ekstradime.